Ndërlidhjet

Hahn i kërkon Kosovës heqjen e taksës 100 për qind


Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka kërkuar nga Kosova që të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe të heqë taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Këto komente Hahn, i bëri gjatë publikimit të Raportit vjetor të Zgjerimit, i cili përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian.

“Kosova duhet të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe duhet të heqë taksën prej 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina. Në qershor do të bëj edhe një përpjekje për të zhbllokuar këtë situatë duke shkuar në këto vende, ndoshta për të përgatitur diçka për 1 korrik (Samiti në Paris). Nuk e di nëse do të jetë e dobishme, por duhet ta përdorim çdo mundësi dhe të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhbllokuar këtë situatë që po pengon jo vetëm zhvillimin e këtyre dy vendeve, por tërë rajonin”, tha Hahn.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

Ndërkohë, kanë kaluar gjashtë muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tash e sa muaj, pasi Serbia e sheh si pengesë për këtë proces taksën 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia qysh në nëntor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG