Ndërlidhjet

OKB: Assange ka përjetuar "torturë psikologjike"


Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për torturë, Nils Melzer.

Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për torturë, Nils Melzer, tha se bashkëthemeluesi i ueb-faqes Wikileaks, Julian Assange, ka pësuar "torturë psikologjike" për shkak të "mjedisit armiqësor dhe arbitrar ku ka qenë i ekspozuar për shumë vite".

Melzer i bëri këto komente në Gjenevë dhe tha se ai dhe dy ekspertë mjekësorë e vizituan Assangen në një burg në Britani, më 9 maj.

"Assange është ekspozuar qëllimisht, për një periudhë prej disa vitesh, ndaj formave të ashpra të trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues", tha Melzer.

Assange, 47 vjeç, u arrestua më 11 prill, pasi kaloi shtatë vjet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Shtetet e Bashkuara e kërkojnë ekstradimin e tij, nën akuzat se ai ka publikuar informacione të klasifikuara.

Melzer po ashtu tha se ka pasur një fushatë të vazhdueshme të frikësimit dhe shpifjes publike kundër Assanges, "jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Suedi dhe së voni në Ekuador".

Më 30 maj, autoritetet britanike kanë shtyrë një seancë dëgjimore për kërkesën e SHBA-së për ekstradim, pasi Assange ishte shumë i sëmurë për të marrë pjesë në të përmes video-lidhjes.

Avokati i Assanges, Gareth Pierce, u tha gazetarëve se klienti i tij është në një repart shëndetësor të burgut.

Seanca e re dëgjimore është caktuar për 12 qershor.

Lexoni edhe këtë: Suedia rinis hetimet kundër Julian Assange

XS
SM
MD
LG