Ndërlidhjet

Alex Whiting i bashkohet zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë si shef i hetimeve


Prokurori Alex Whiting

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, përmes një komunikate ka njoftuar se shef i hetimeve (Grupit Hetimor) pranë kësaj zyre do të jetë prokurori, Alex Whiting.

Sipas komunikatës, prokurori Whiting, ka përvojë të gjerë në fushat e ndjekjes penale kombëtare dhe asaj ndërkombëtare, duke përfshirë punën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjPN) dhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

“Gjatë periudhës midis viteve 2002 deri 2007, prokurori Whiting punoi për TPNJ-në, ku ka qenë prokuror kryesor në gjykimin e Fatmir Limajt, Isak Musliut e Haradin Balajt dhe prokuror kryesor në gjykimet e Milan Martiqit dhe Dragomir Milosheviqit”, thuhet në komunikatë.

Përpara se t’i bashkohet TPNJ-së, Whiting ishte prokuror federal në Shtetet e Bashkuara, fillimisht në Sektorin e Kriminalistikës së Departamentit të të Drejtave Civile në Washington e më pas me Zyrën e Prokurorit Federal në Boston, Massachusetts, ku ka qenë i përqëndruar në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është një prokurori e ndërkombëtarizuar dhe e zhvendosur në Hagë, që u krijua për hetimin dhe, nëse është e nevojshme, për ndjekjen penale të individëve për krimet e pretenduara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) të janarit të vitit 2011 me titull “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.

ZPS-ja trashëgoi punonjësit dhe mandatin e Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), bazuar në një Amendament Kushtetues si dhe në Ligjin Special për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015.

Tashmë, kjo prokurori ka intervistuar një numër të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë në një njoftim të publikuar më 11 qershor bëhet e ditur se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë hyrë në mjediset e tyre të reja.

“Në të përfshihet një sallë gjyqi me kapacitet për mbajtjen e punimeve në të tri gjuhët zyrtare të gjykatës si edhe një galeri për publikun, nga ku vizitorët mund të ndjekin seancat gjyqësore”, thuhet në njoftim.

XS
SM
MD
LG