Ndërlidhjet

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër dekretit të Metës


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste (PS) mbi dekretin e presidentit, Ilir Meta, për anulimin e e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Në rezolutë, PS i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, që ta konsiderojnë si inekzistent dekretin e presidentit Meta, me të cilin ai shfuqizoi dekretin e mëparshëm për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Përmes saj, rezoluta kërkon edhe mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar ndaj vendimit të presidentit

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend tha se partia e tij nuk do të tërhiqet nga 30 qershori, si datë e caktuar e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Pas diskutimeve për disa orë, rezoluta u votua nga të gjithë deputetët e shumicës, por edhe nga radhët e opozitës parlamentare pati vetëm 7 vota kundër. Deputetët e opozitës që ndodhen në Kuvend, e kanë marrë këtë detyrë, pas djegies së mandateve nga deputetët opozitarë fillestarë që kishin fituar mandatet nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në anën tjetër, pas miratimit të rezolutës në Parlament kundër vendimit të presidentit, Presidenca ka deklaruar se shfuqizimi i 30 qershorit është i detyrueshëm për të gjithë aktorët politikë.

”Presidenti deklaron edhe njëherë se dekreti për shfuqizimin e dekretit të 30 qershorit është një akt që është marrë në mbështetje të plotë të dispozitave të Kushtetutës”, u shpreh Bledar Dervishaj, këshilltar për çështje ligjore i presidentit Meta.

Sipas Dervishajt, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të presidentit.

Ai shtoi se edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është i detyruar të zbatojë dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit dhe çdo anashkalim i detyrave është i palejueshëm nga ligji.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha tha se nuk ka iluzion dhe dyshim se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Shqipëri u drejtuan nga “mafia dhe paratë e pista”, dhe se kryeministri Edi Rama duhet të largohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Basha e quajti “farsë” dhe “teatër” rezolutën e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë.

“Mos kini asnjë iluzion se farsa e sotme që u nis për shkarkimin e presidentit përfundoi në rezolutë dhe tani po konsumon orët e pasdites për t’u shndërruar në një qortim dhe një pendim të Edi Ramës, nuk është asgjë tjetër, vetëm pjesë e këtij teatri për të cilin Edi Rama ka nevojë jetike ta largojë vëmendjen nga kriza e thellë ku ju ka zhytur ju dhe familjet tuaja”, u shpreh Basha.

Ndër të tjera, në rezolutën e miratuar me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe disa prej deputetëve të opozitës së re thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarr asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”.

Presidenti, Ilir Meta, disa ditë më parë ka shfuqizuar dekretin presidencial për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri për 30 qershor dhe ka thënë se zgjedhje në Republikën e Shqipërisë “nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e presidentit”.

Ai këtë vendim e mori pasi që opozita në Shqipëri ka djegur mandatet në Kuvend, dhe ka disa muaj që proteston duke kërkuar largimin e qeverisë.

Deri tani, qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur rrugë të përbashkët për të dialoguar për zgjidhjen e kësaj krize politike.

XS
SM
MD
LG