Ndërlidhjet

Prania e IS-it në Afganistan është “shumë shqetësuese”, thotë gjenerali amerikan


Ilustrim

Kreu i Komandës Qendrore të Ushtrisë amerikane, Kenneth F. McKenzie, tha se prezenca e grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) në Afganistan, mbetet “shumë shqetësuese”, por nuk ka gjasa që ky grup të ndërmarrë sulme në Shtetet e Bashkuara, pasi gjendet nën presion të fuqishëm ushtarak.

Gjenerali amerikan u tha gazetarëve se grupi ekstremist “me siguri ka aspirata për të sulmuar Shtetet e Bashkuara”.

“Është mëse e qartë se për sa kohë ne të mbajmë presionin mbi ata, do ta kenë të vështirë t’i realizojnë këto plane”, tha gjenerali Kenneth F. McKenzie.

Operacionet e ushtrisë amerikane në Lindje të Mesme janë nën menaxhimin e gjeneralit McKenzei. Gjatë ditëve të kaluara, ai zhvilloi vizita në Katar, Irak, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt.

Agjencia e lajmeve "Associated Press" ka cituar këtë javë, disa zyrtarë amerikanë dhe afganë të kenë thënë se grupi ekstremist e ka rritur prezencën e tij në Afganistan, duke rekrutuar pjesëtarë të rinjë dhe kanë planifikuar sulme në Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore.

Gjenerali McKenzei tha se nuk beson që IS-i ka zgjeruar aftësitë e tij, por që ende paraqet një prani të rrezikshme në Afganistan.

Disa ekspertë të çështjeve të sigurisë kanë thënë se IS-i ka mijëra luftëtarë në Afganistan.

Të enjten është raportuar se së paku nëntë persona janë vrarë dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës në Afganistan. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist IS.

Forcat e Shtetet e Bashkuara janë duke luftuar me pjesëtarët e IS-it në Afganistan, një mision ky i ndarë nga ndihma që amerikanët u ofrojnë forcave afgane në ballafaqimin e tyre me militantët talibanë.

XS
SM
MD
LG