Ndërlidhjet

Nisin zyrtarisht mandatin kryetarët e komunave veriore në Kosovë


Pamja nga Mitrovica Veriore.
Pamja nga Mitrovica Veriore.

Kryetarët e zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, në mbledhjet solemne të kuvendeve komunale, të mërkurën, kanë kryer betimet solemne dhe zyrtarisht kanë nisur detyrat zyrtare.

Kryetari i Mitrovicës Veriore, njëherësh edhe lider i partisë Lista Serbe, Goran Rakiq, ka nisur mandatin e tij duke e konsideruar këtë pozitë si oligim të madh.

“Ky është një obligim i madh, jo vetëm për mua, por i të gjithë juve që jeni në Kuvend, që të jemi edhe më të mirë në punën që bëjmë dhe të shënojmë përparim në jetët e bashkëqytetarëve tanë, para së gjithash, që të jetojnë të qetë dhe t’iu ndihmojmë në çdo aspekt’, ka thënë Rakiq, pas dhënies së betimit solemn.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, kanë fituar garën zgjedhore për të parët e këtyre komunave, në zgjedhjet që u mbajtën më 19 maj të këtij viti.

Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Kjo taksë njëherësh është përdorur edhe si arsyetim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për mosvazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka insistuar se kjo taksë do të mbetet në fuqi derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG