Në vazhdën e kritikave që lidhen me sundimin e ligjit në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, reagoi kundër një vendimi të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në rastin “Kukësi”.
Pa e përmendur emrin e të dënuarit, i cili është liruar, Kosnett u bëri thirrje institucioneve që të ndalin, siç tha, praktikën e pezullimit të dënimeve dhe abuzimet e kriminelëve të lidhur me sistemin e pushimit shëndetësor.
“Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar lirimin e një të dënuari për krime lufte me 15 vjet burgim, në rastin Kukësi, i cili ka vuajtur 12 muaj (burgim) në 3 vjetët e fundit. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë me sistemin e pushimit shëndetësor dhe dënimet e ndërprera duhet të ndalen”, shkroi Kosnett në Twitter.
Javë më parë, Kosnett ka reaguar edhe ndaj zvarritjes së rasteve gjyqësore të zyrtarëve të profilit të lartë, duke marrë shembull rastin e njohur si “Pronto”.
“Sa më i rëndësishëm rasti, aq më gjatë duket se zgjasin prodedurat - Kur do të shohim ne progres në rastin ‘Pronto’?”, ka shkruar ambasadori amerikan.
Lexoni edhe këtë: A po hezitojnë gjykatat t’i trajtojnë rastet ku janë të përfshirë politikanët?