Ndërlidhjet

Thaçi urdhëron hartimin e listës së të përfshirëve në akte terroriste


Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nxjerrë një dekret që obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

“Deri në krijimin e listës vendore institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit.

Në bazë të dekretit, obligohen institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj.


XS
SM
MD
LG