Ndërlidhjet

Palmer: SHBA-ja e njeh 30 qershorin si ditën e zgjedhjeve në Shqipëri


Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer.

Në mesin e tensioneve politike në Shqipëri, për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se e njohin 30 qershorin si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara presin që zgjedhjet të mbahen në këtë datë.

"Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Presim që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve, do te formohet Gjykata Kushtetuese dhe presim që mosmarreveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit", tha zoti Palmer.

Palmer e bëri këtë deklaratë, kur u pyet për të komentuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve, nga ana e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Të enjten, presidenti Meta caktoi 13 tetorin si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë në Twitter, duke e quajtur “çmenduri” vendimin e presidentit dhe ripërsëriti se data e vetme e zgjedhjeve në Shqipëri është 30 qershori.

Përmes një vendimi të mëhershëm, presidenti Meta kishte anuluar 30 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Ai e pati arsyetuar këtë vendim, me faktin se po shmang një përplasje civile mes mbështetësve të opozitës së përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe Partisë Socialiste në pushtet.

XS
SM
MD
LG