Ndërlidhjet

Shitoret në veri do të hapen të mërkurën


Dyqanet e mbyllura në veri.

Të mërkurën do të hapen shitoret në Mitrovicën e Veriut, të cilat ishin të mbyllura gjatë dy ditëve të kaluara, si shenjë proteste ndaj taksës së vendosur për mallrat serbe, nga ana e Qeverisë së Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

Vendimin për hapjen e shitoreve e mori Shoqata e Afaristëve të veriut, në njoftimin e së cilës thuhet se protesta, dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve të veriut.

“Meqë kjo është një protestë paralajmëruese, shitoret që do të punojnë prej nesër, do të mbyllen për kohë edhe më të gjatë, çdo herë tjetër, kur prap të na gjuajnë, sepse transportojmë qumësht, miell, vaj apo gazetat në gjuhën serbe, për popullin serb në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Afaristët serbë, i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që përfundimisht të kuptojë situatën dramatike dhe të reagojë për të qetësuar Prishtinën, para se të ndodhë ndonjë incident, i cili mund të sjellë gjërat në një pikë pa kthim”.

Të hënën shitoret në veri u mbyllën pasi përfaqësuesit e bizneseve thanë se atyre u mungojnë furnizimet për shkak të taksës, përdërisa autoritetet e Serbisë kanë paralajmëruar “krizë humanitare”.

Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet se në atë pjesë të vendin ka krizë humanitare dhe të hënën është angazhuar të hapë pika të shitjes në veri.

Në periudhën e fundit autoritetet e Kosovës kanë rritur kontrollin mbi kalimet alternative, të paligjshme, midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat përdoreshin për të transportuar mallrat serbe.

XS
SM
MD
LG