Ndërlidhjet

Policia arreston 23 të dyshuar për “shitje” të patentë shoferëve


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar njëzetetre (23) persona, shumica prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas autorizimit nga Prokuroria Themelore “ka zhvilluar aktivitetet hetimore, duke siguruar prova dhe dëshmi relevante që lidhen me këto vepra penale”
Sipas njoftimit, njëzetetre (23) të arrestuarit dyshohet se, përmes marrjes së ryshfetit, u kanë mundësuar kandidatëve të pajisen me patentë shoferë pa kaluar nëpër testet e nevojshme.

“Sot, më 05.07.2019, është realizuar operacioni policor i fokusuar në këto lokacione: Ministria e Infrastrukturës-Departamenti për Patentë Shofer, një auto-shkollë në Fushë Kosovë dhe një ordinancë në Fushë Kosovë. Dyshohet se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 euro)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga njëzetetre (23) të arrestuarit, gjashtëmbëdhjetë (16) janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Departamentin për Patentë Shoferë, tre (3) mjekë, një (1) psikolog i një ordinance, një (1) menaxher dhe dy (2) bashkëpronarë të një auto-shkolle.

Me aktvendim të prokurorit të rastit, të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë, Policia ka njoftuar se “gjatë zhvillimit të operacionit policor janë sekuestruar edhe prova relevante që do përdorën si dëshmi në procedura gjyqësore”.

XS
SM
MD
LG