Ndërlidhjet

IAEA do të diskutojë për programin bërthamor të Iranit


Selia e Agjencisë për Energji Bërthamore.

Agjencia për Energji Bërthamore (IAEA) do të mbajë një mbledhje të posaçme javën e ardhshme, mbi programin bërthamor të Iranit. Kjo mbledhje do të mbahet me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, pasi Teherani tha se ka shkelur disa prej pikave të marrëveshjes bërthamore.

Një zëdhënës i kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara tha se takimi i bordit të guvernatorëve do të mbahet më 10 korrik në Vjenë të Austrisë.

Ky takim vjen në kohën e rritjes së tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, mbi programin bërthamor të Teheranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump në maj të vitit të kaluar u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e arritur ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, që kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

SHBA-ja ka rivendosur sanksione ekonomike ndaj Iranit.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka njoftuar se shteti i tij ka tejkaluar limitet për pasurim të uraniumit, duke thënë më 27 qershor, se Irani do të prodhojë 3,67 për qind më shumë uranium të pasuruar sesa limiti i vendosur në marrëveshjen bërthamore.

Britania, Franca dhe Gjermania – që po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015 – i kanë bërë thirrje Iranit që t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore dhe i kanë premtuar ndihmë Teheranit, për të tejkaluar vështirësitë ekonomike, pas rivendosjes së sanksioneve nga SHBA-ja.

Ndërkaq, Rusia dhe Kina, që po ashtu janë nënshkrues të kësaj marrëveshjeje, i kanë bërë thirrje Iranit që ta respektojë këtë pakt, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja.

Agjencia për Energji Bërthamore tha se lajmi se Irani ka tejkaluar limitet për uranium janë “shqetësuese” dhe se “komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbajë përgjegjës Iranin” për një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG