Ndërlidhjet

Pompeo: Regjimi iranian i pajisur me armë bërthamore, rrezik për botën


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami, ka thënë se ndalimi i një cisterne iraniane nga Britania, javën e kaluar, ishte një "veprim kërcënues dhe i gabuar".

Ministri Hatami, e bëri deklaratën në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, më 8 korrik.

Më 4 korrik, marinsat britanikë e konfiskuan cisternën e cila dërgonte naftë në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Europian, një veprim që shkaktoi zemërimin e Teheranit dhe mund të përshkallëzoj konfrontimin e tij me Perëndimin.

Cisterna u konfiskua në Gjibraltar, pasi autoritetet e atjeshme kishin kërkuar ndihmën e ushtrisë britanike.

Ministri iranian tha gjithashtu se rrëzimi i një droni amerikan muajin e kaluar, dërgoi një mesazh se Teherani do të mbrojë kufijtë.

Pas rrëzimit të dronit amerikan, tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë në rritje.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se avioni ishte në hapësirën ajrore të tyre ndërsa Uashingtoni ka thënë se avioni po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtare.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani do të përballet me më shumë sanksione për rritjen e programit të tij bërthamor përtej kufijve të një marrëveshjeje historike të vitit 2015, që Uashingtoni nuk e mbështet më.

Zëdhënësi i qeverisë iraniane Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran më 7 korrik se "sot ne do të kalojmë" nivelet e lejuara të pasurimit të përcaktuara në marrëveshjen e arritur me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe vendet evropiane, katër vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara, sërish e kanë paralamëruar Iranin, të mos vazhdojë me programin e tij bërthamor.

"Zgjerimi i fundit i programit të tij bërthamor nga ana e Iranit, do të çojë në izolim dhe sanksione të mëtejshme. Regjimi i Iranit, i armatosur me armë bërthamore, do të përbënte një rrezik edhe më të madh për botën " tha sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, përmes Twitterit.

XS
SM
MD
LG