Ndërlidhjet

Hoxha: Franca, Holanda e Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave


Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha të mërkurën para Komisionit parlamentar për punë të jashtme të Kosovës se Franca, Holanda dhe Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian, por për shkak të këtyre hezitimeve, nuk dihet se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

“Parlamenti Evropian edhe një herë më 2019 e ka votuar raportin. Përkundër rekomandimeve pozitive dhe përmbushjes së kritereve, jemi duke pritur vendimin e Këshillit. Në zvarritje ka ndikuar edhe gjendja politike brenda Parlamentit Evropian. Në takimin që kemi pasur në Gjermani me ministrin e Brendshëm, kemi marrë mbështetje për vizat. Por, Franca, Holanda, Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave në Kosovë”, theksoi Hoxha para deputetëve të Komisionit parlamentar.

Ajo po ashtu tha se përfshirja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave nuk mund të ndodhë, nëse nuk ka një konsensus.

“Takimi i ardhshëm i Këshillit është pas konstituimit nga zgjedhjet në BE dhe në këtë aspekt pritet në tetor mbledhja. Deri atëherë duhet të ndodhë ky diskutim, në mënyrë që të ndodhë konsensusi”, tha Hoxha.

Sipas saj, brenga apo dilema e Francës ndërlidhet me migrimin dhe keqpërdorimin e liberalizimit nga disa shtete që e kanë tashmë regjimin e udhëtimit pa viza.

Gjatë debatit, deputetët, sidomos ata të opozitës, e kritikuan Qeverinë e Kosovës dhe ministren Hoxha për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave, si dhe për deklarata kundërthënëse, pasi që kryeministri Ramush Haradinaj, javë më parë, ka deklaruar se Franca nuk e pengon liberalizmin e vizave për Kosovën.

Kosova ka mbetur vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor i papërfshirë në regjimin e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda Bashkimit Evropian.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe BE-së ka filluar në vitin 2012.

BE-ja i ka vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian ka votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Mirëpo, në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit të tij çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

XS
SM
MD
LG