Ndërlidhjet

Pompeo për Srebrenicën: Qëndrojmë me ata që kërkojnë drejtësi


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Në ditën kur përkujtohet 24 vjetori i Masakrës së Srebrenicës, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha përmes një deklarate se “populli amerikan i bashkohet popullit të Bosnje dhe Hercegovinës për të nderuar kujtimin e më shumë se 8.000 viktimave të pafajshme”.

“Në historinë evropiane, ky kapitull i dhimbshëm, nuk duhet kurrë të mohohet dhe as të harrohet. Ne qëndrojmë me ata që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të qëndrueshme për ata që punojnë për të nderuar dinjitetin e të gjithë viktimave”, thuhet në deklaratën e Pompeos.

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit.

Sekretari amerikan, thekson se Shtetet e Bashkuara mbesin një partner i palëkundur i Bosnje dhe Hercegovinës duke potencuar se ngjarjet tragjike të së kaluarës "na kujtojnë nevojën për të punuar në unitet për një të ardhme më të mirë, të qëndrueshme dhe të begatë dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Ndërsa kujtojmë të rënët, ne sot, ritheksojmë angazhimin tonë për të ndërtuar paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin dhe për të siguruar një tragjedi të tillë kurrë nuk mund të ndodhë më”, thuhet në deklaratën e sekretarit Pompeo.

XS
SM
MD
LG