Ndërlidhjet

Veseli propozon Muzafer Shalën në postin e ministrit të Inovacionit


Qeveria e Kosovës, foto nga arkivi.
Qeveria e Kosovës, foto nga arkivi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka propozuar për emërim Muzafer Shalën, për postin e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës.

“Sot po propozojmë për emërim, në pozitën e ministrit dikë që ka potencial për ta bërë bashkëpunimin e duhur ndërmjet botës akademike dhe industrisë nga njëra anë, si dhe për t’i ofruar rinisë kushte të përshtatshme në anën tjetër, në mënyrë që të ndërtohen ëndrrat e tyre”, tha kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli tha se inovacioni dhe ndërmarrësia janë elementet kyçe të ekonomisë moderne.

“Inovacioni dhe ndërmarrësia janë elementet kryesore të ekonomisë moderne që synojmë. Njëri nga parimet kryesore për të krijuar ndërmarrësi dhe inovacion është bashkëpunimi adekuat në mes industrisë dhe botës akademike, së me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ne kemi shumë njerëz premtues në Kosovë. Fatkeqësisht, disa prej tyre po e lëshojnë vendin. Qëllimi jonë është që ta ndalim zbrazjen e trurit dhe t’i japim shans rinisë sonë arsye për të qëndruar këtu. Një mjedis që i siguron rinisë sonë kushte dhe programe për t’i realizuar ëndrrat e tyre, për të implementuar idetë e tyre inovative, definitivisht do t’i bindë ata për të qëndruar. Ky është misioni ynë”, tha Veseli.

Gjatë një konference për media, Muzafer Shala tha se Kosova ka potencial të madh njerëzor, sa i përket fushës së inovacionit.

“Projekti i Ministrisë së Inovacionit, është vënë në ballë të vizionit të ‘Dekadës së Re’ dhe besoj që do të mund ta shtyjë përpara inovacionin dhe ndërmarrësinë. Është një potencial i madh i rinisë, sidomos në fushën e IT, që është një prej sektorëve që ka bilanc pozitiv”, tha ai.

Muzafer Shala është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo në koalicionin qeverisës.

Ai ka doktoruar në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it.

XS
SM
MD
LG