Më shumë se një në dhjetë fëmijë - ose 20 milionë në gjithë botën - nuk janë vaksinuar vitin e kaluar kundër sëmundjeve të rrezikshme për jetën, si: fruthi, difteria dhe tetanusi.
Të dhënat u publikuan të hënën në një raport që përpiluan Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara - UNICEF.
Në raportin mbi imunizimin global, dy agjencitë zbuluan se nivelet e vaksinimit janë duke stagnuar, sidomos në vendet e varfra dhe në zonat e konfliktit.
"Vaksinat janë një nga mjetet tona më të rëndësishme për parandalimin e shpërthimeve dhe sigurinë e botës", tha përmes një deklarate drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas raportit, shumica e fëmijëve të pavaksinuar jetojnë në vende të varfra, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë në vetëm 16 vende: Afganistan, Republika e Afrikës Qendrore, Çad, Republika Demokratike e Kongos, Etiopi, Haiti, Irak, Mali, Niger, Nigeri, Pakistan, Somali, Sudan Jugor, Sudan, Siri dhe Jemen.
"Shumica e fëmijëve sot janë duke u vaksinuar, por shumë të tjerë mbeten pa u vaksinuar. Të pavaksinuar janë shpesh ata që janë më në rrezik, më të varfër, më të margjinalizuar, të prekur nga konflikti ose të zhvendosur nga shtëpitë e tyre", tha Ghebreyesus.
Nëse këta fëmijë sëmuren, thuhet në raport, ata janë në rrezik të pasojave më të rënda shëndetësore dhe janë më pak në gjendje të marrin trajtimin dhe kujdesin që u nevojitet.