Ndërlidhjet

SHBA-ja reagon ndaj dëmtimit të varrezave ortodokse në Lipjan


Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, reagoi të martën ndaj dëmtimit të varrezave ortodokse në Lipjan, duke kërkuar reagimin e shpejt të drejtësisë.

“Si po i përgjigjet Kosova dëmtimit të turpshëm të varrezave në Lipjan? Ushtrimi i sigurt i lirisë së besimit, kërkon respekt ndërmjet komuniteteve dhe veprim të shpejtë të drejtësisë”, ka shkruar Kosnett në Twitter, përderisa ka folur për fillimin e takimit Ministerial për Liritë Fetare në Washington.

Në këtë takim, ku diskutohet për liritë fetare, po marrin pjesë rreth 1 mijë përfaqësues nga e gjithë bota, përfshirë Kosovën.

Më 14 korrik, Policia e Kosovës njoftoi se është duke kryer hetime pas njoftimeve se “janë dëmtuar disa gurë të varrezave ortodokse serbe” në komunën e Lipjanit.

Kryetari i komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviç, tha se ky incident “është shenjë se serbët nuk janë të dëshirueshëm në komunën e Lipjanit”.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate, ka dënuar ashpër dëmtimin e varrezave ortodokse serbe në komunën e Lipjanit, duke thënë se “incidenti në fjalë është kundër interesave të Kosovës dhe se autoritet do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”.

XS
SM
MD
LG