Ndërlidhjet

Arrestohet një person i dyshuar për vrasjen e një të mituri në Fushë Kosovë


Logo e Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës arrestoi një person të dyshuar për vdekjen e një fëmije 11-vjeçar në Fushë Kosovë.

Në njoftimin e policisë thuhet se të martën mbrëma, rreth orës 20:00, u arrestua personi i dyshuar me inicialet S.O., i lindur në vitin 1999.

I mituri është gjetur i vdekur më 11 korrik.

Rasti është cilësuar fillimisht nga autoritetet si “vdekje e dyshimtë”, por pas hetimeve, ai është kualifikuar si “vrasje e rëndë”.

Lidhur me vdekjen e të miturit reagoi Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), duke kërkuar veprime të menjëhershme nga prokuroria për këtë rast, pasi, sipas informacioneve që kanë dalë nga policia, dyshohet se viktima ka pasur shenja dhune dhe se është dhunuar seksualisht nga dorasi.

Bazuar në deklaratën e nënës së viktimës lidhur me abuzimin seksual të të miturit të ndjerë, KOMF tha se rasti është raportuar dy herë në polici: në janar dhe në prill të këtij viti.

“KOMF kërkon përgjegjësi dhe veprime të menjëhershme për gjendjen e rëndë në të cilën shteti dhe institucionet vazhdojnë t’i lënë fëmijët", tha KOMF, për të shtuar se fëmijët janë të përfshirë në punë të rënda dhe se përballen me rreziqe, si: abuzimi seksual, trafikimi dhe vrasja.

"Nëse situata vazhdon të mbetet e tillë, edhe shumë fëmijë të tjerë në situatë rruge do të përballen me të njëjtën fatkeqësi”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, tha se "reagimi i shpejtë i policisë tregon se komunitetet e cenueshme nuk do të shpërfillen".

Lexoni edhe këtë: A do t’i mbrojë ligji i ri fëmijët nga keqtrajtimet dhe punët e rënda?

XS
SM
MD
LG