Ndërlidhjet

Pakistani premton ndihmë për procesin e paqes në Afganistan


Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se do të takohet me talibanët, në një përpjekje për të bindur grupin militant të mbajë bisedime me qeverinë afgane, për t'i dhënë fund luftës gati 18 vjeçare në Afganistan.

"Unë do të takohem me talibanët dhe do të përpiqem t’i bindi për të biseduar me qeverinë afgane", tha Khan gjatë një bisede në Institutin e Paqes të Uashingtonit.

Khan, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, zhvilloi bisedime për situatën në Afganistan, me presidentin amerikan, Donald Trump, si dhe me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët, që nga shtatori, kanë mbajtur tetë runde bisedimesh të paqes. Të dyja palët kanë njoftuar për përparim në bisedimet për një marrëveshje të mundshme. SHBA-ja ka premtuar se mund të tërheqë trupat, nëse talibanët nuk lejojnë që Afganistani të përdoret si bazë për terrorizmin.

Talibanët kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, duke e quajtur atë të paligjshme.

Pakistani ka ndihmuar për të ndërmjetësuar negociatat e paqes ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve.

Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani e kanë akuzuar gjatë Pakistanin për mbështetjen e talibanëve, një akuzë që Islamabadi e mohon.

Khan tha më 22 korrik se qeveria e tij ishte e angazhuar për një fund të negociuar të luftës në Afganistan.

XS
SM
MD
LG