Ndërlidhjet

Lojtarët serbë të Slovan Bratislava nuk do të luajnë kundër Feronikelit


Ilustrim
Ilustrim

Mediat sllovake raportojnë se dy lojtarë dhe një trajner nga Serbia nuk do të marrin pjesë në ndeshjen mes klubit sllovak “Slovan Bratislava” dhe atij nga Kosova “Feronikeli”, që zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për garat e Ligës së Evropës në futboll.

Lojtarët serbë dhe trajneri anuluan pjesëmarrjen në ndeshje për shkak të udhëzimeve nga Qeveria e Serbisë, shkruajnë mediat sllovake.

"Lojtarët Aleksandar Çavriq dhe Dejan Drazhiq, si dhe trajneri Vladimir Radenkoviq, respektojnë ankesën e qeverisë serbe dhe nuk do të marrin pjesë në asnjë nga dy ndeshjet me KF Feronikeli", citohet nga mediat e Sllovakisë, zëdhënësi i klubit Tomas Schurgerl.

Klubi Sllovak ka njoftuar se respekton vendimin e lojtarëve dhe trajnerëve të saj.

Media sllovake, Sport24 më herët publikoi një deklaratë të një prej lojtarëve nga Serbia, Aleksandar Çavriq, i cili tha se "jam gati për ndeshjen, por së bashku me Dejan Drazhiqin dhe Vladimir Radenkoviqin do të respektoj çdo udhëzim që vjen nga qeveria serbe".

Sipas mediumit TASR, Radenkoviq do të mbetet trajner i ekipit, por nuk do të jetë i pranishëm gjatë ndeshjes me Ferronikelin tani dhe më vonë në Kosovë.

Nga klubi sllovak “Slovan Bratislava” një ditë para ndeshjes iu bë thirrje tifozëve të "përmbahen nga çdo demonstrim politik lidhur me ekipin kundërshtar”.

“Përfaqësuesit e UEFA-s na kanë paralajmëruar fuqimisht se do të ndëshkojnë ashpër dhe pa kompromis çdo demonstrim politik në kurriz të klubit tonë dhe tifozëve", thuhet në deklaratën e klubit sllovak.

Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndeshja e parë nën kualifikimet e UEFA-s luhet sot, e mërkurë, 24 korrik.

XS
SM
MD
LG