Ndërlidhjet

Serbia do të kërkojë ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, reagime në Prishtinë


Pjesëtarë të policisë maqedonase. Foto nga arkivi
Pjesëtarë të policisë maqedonase. Foto nga arkivi

Serbia do të kërkojë nga Maqedonia e Veriut, ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i arrestuar të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

Ministria serbe e Drejtësisë i tha Rrjetit Ballkanit për Gazetari Hulumtuese (BIRN) se "zyrtarisht është njoftuar për arrestimin e Tomor Morinës nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut".

Ministria tha se do të dërgojë te autoritetet maqedonase një kërkesë për ekstradimin e tij, pasi ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në krimet e luftës kundër civilëve në rajonin e Gjakovës nga janari deri në qershor të vitit 1999.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

Kryediplomati kosovar tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për lirimin e tij, si dhe i bëri thirrje Shkupit të hedhë poshtë “urdhërat politik për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

“Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën” ka thënë Pacolli.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, të mërkurën, ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk ka dhënë detaje lidhur me statusin e tij, por ka njoftuar se ndaj shtetasit kosovar do të respektohen të gjitha procedurat ligjore.

XS
SM
MD
LG