Ndërlidhjet

Nxirren 55 trupa nga anija e fundosur në Mesdhe


Fotografi ilustruese.

Pesëdhjetepesë trupa të pajetë u nxorrën nga brigjet libiane, pasi një anije prej druri që barte qindra migrantë, u fundos të enjten.

Operacionet e kërkimit janë duke vazhduar, tha për Reuters një zyrtar i organizatës Gjysmëhëna e Kuqe.

Është ende e paqartë se sa persona ishin në bordin e anijes që u fundos dhe sa persona ende konsiderohen të zhdukur.

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara e ka përshkruar fundosjen e kësaj anijeje si “tragjedinë më të keqe gjatë këtij viti në Mesdhe”.

Abulmenam Abu Sabay nga Gjysmëhëna e Kuqe tha se anija – që u fundos në afërsi të Komas, që gjendet rreth 120 kilometra në lindje të Tripolit – kishte në bord 350 persona, shumica prej të cilëve migrantë nga Afrika.

Marina libiane të enjten tha se anija po barte 250 migrantë, ndërkaq OKB tha se rreth 150 persona mund të kenë vdekur.

Në ditën e fundosjes së anijes, garda bregdetare libiane arriti të shpëtojë 134 migrantë.

“Ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të kryer këto operacione. Banorët kanë ndihmuar duke përdorur varkat e tyre”, tha Abu Sabay.

XS
SM
MD
LG