Ndërlidhjet

Navalny kthehet në burg; spekulimet për sëmundjen vazhdojnë


Aleksei Navalny
Aleksei Navalny

Një mjeke e Alexei Navalnyt, figurës më të shquar të opozitës në Rusi, tha se ai u lirua nga spitali.

Navalny, i cili u ndalua nga policia javën e kaluar, u transferua përsëri në burg.

Sipas disa raporteve, ai ka pësuar reaksion akut alergjik, që i ka rezultuar me ënjtje në fytyrë, probleme me sy dhe skuqje në trup.

Mjekja e tij, Anastasia Vassilieva, e kundërshtoi lirimin nga spitali, duke thënë se Navalny nuk ka vuajtur kurrë më parë nga alergjitë dhe se ai mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj "ndonjë agjenti toksik".

"Ka qenë një reagim toksik ndaj një substance kimike. Patjetër që ishte një agjent kimik. Është absurde të quhet alergji", tha Vassilieva.

Përpara se Navalny të dilte nga spitali, ekipi i tij mjekësor tha se ka arritur të sigurojë disa mostra të flokëve dhe bluzës së tij, që do të testohen në mënyrë të pavarur.

Navalny u burgos për 30 ditë javën e kaluar, pasi thirri protesta të paautorizuara, të cilat u mbjatën të shtunën.

Afro 1,400 njerëz u ndaluan gjatë protestave kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet lokale.

Mediat ruse raportojnë se shumica e aktivistëve të ndaluar gjatë fundjavës tani janë liruar.

Navalny është aktivisti më i shquar i opozitës në Rusi dhe një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka udhëhequr protestat më të mëdha kundër Putinit në vitin 2011 dhe është burgosur disa herë - kryesisht për përfshirje në protesta të paautorizuara.

XS
SM
MD
LG