Ndërlidhjet

Kushtetuesja: Vendimet e presidentit për anëtarët e KQZ-së janë kushtetuese


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se vendimet e presidentit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës janë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar në ueb-faqen zyrtare të kësaj gjykate, thuhet se "vendimet për emërimet e anëtarëve të KQZ-së të 28 marsit, 2019, të presidentit të Republikës së Kosovës, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës”.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka zvarritur emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me arsyetimin se e ka të paqartë se si duhet të veprojë pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve.

Më pas, ai ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese se si duhej të vepronte.

Kjo e fundit e ka udhëzuar që të emërojë në KQZ dy kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, dy kandidatë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe dy kandidatë nga koalicioni parazgjedhor PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate).

Por, tri partitë e koalicionit PAN pretendonin të drejtën për nga një anëtar në KQZ dhe nuk i kanë dërguar emrat e kandidatëve të tyre te presidenti Thaçi.

Nisur nga kjo, ato i janë drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të presidentit për emërimin e anëtarëve të KQZ-së e kanë parashtruar Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka 2 anëtarë më pak, por është vlerësuar se edhe pa ta është funksional dhe mund t'i organizojë zgjedhjet e parakohshme të mundshme.

XS
SM
MD
LG