Ndërlidhjet

SHBA-ja e shqetësuar me zhvillimet në Kashmir


Forcat e sigurisë në Kashmir, 6 gusht 2019
Forcat e sigurisë në Kashmir, 6 gusht 2019

Shtetet e Bashkuara thanë se po përcjellin nga afër zhvillimet në Kashmir pasi India e revokoi autonominë e rajonit me shumicë myslimane.

Veprimi i Nju Dehlit ngjalli frikën për një dhunë të re në pjesën e rajonit të administruar nga India.

“Jemi të shqetësuar dhe kërkojmë respekt për të drejtat individuale si dhe bëjmë thirrje për diskutime me komunitetet e prekura nga kjo masë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus.

Ortagus u bëri thirrje "të gjitha palëve të ruajnë paqen dhe stabilitetin përgjatë vijës së kontrollit" që shërben si një kufi - de fakto - midis Indisë dhe Pakistanit në Kashmir.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i kërkoi Indisë dhe Pakistanit të tregojnë përmbajtje.

"Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të kenë përmbajtje", tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, duke shtuar se paqeruajtësit e OKB-së që janë duke vëzhguar armëpushimin midis Indisë dhe Pakistanit në shtetin Jammu dhe Kashmir "kanë vërejtur dhe raportuar një rritje të aktivitetit ushtarak përgjatë vijës së kontrollit".

Të hënën, Qeveria e Indisë ka revokuar një pjesë të Kushtetutës që i jep statusin e veçantë rajonit të Kashmirit të administruar nga India.

Neni 370 është i ndjeshëm sepse garanton një autonomi të konsiderueshme për Kashmirin me shumicë myslimane. Ky nen i lejon këtij vendi të ketë Kushtetutën e vet, një flamur të veçantë dhe pavarësi për të gjitha çështjet, përveç punëve të jashtme, mbrojtjes dhe komunikimeve.

Neni 370 gjithashtu ndalon indianët jashtë Kashmirit që të vendosen aty përgjithmonë, të blejnë tokë, të mbajnë punë të qeverisjes vendore dhe të sigurojnë bursa arsimore.

Kritikët kanë frikë se masa është krijuar për të ndryshuar përbërjen demografike të Kashmir të administruar nga India - duke u dhënë njerëzve nga pjesa tjetër e vendit të drejtën për të marrë pronë dhe të vendosen atje përgjithmonë.

Vendimi i Indisë u shoqërua me ndërprerje të Telekomit, kufizime në lëvizjen publike dhe vendosjen e mijëra trupave.

Masa thellon armiqësinë afatgjatë me rivalin bërthamor Pakistanin.

Pakistani dënoi masën e Indisë si të paligjshme, duke thënë se do të "ushtrojë të gjitha opsionet e mundshme" për ta kundërshtuar atë.

"India po luan një lojë të rrezikshme e cila do të sjellë pasoja serioze për paqen dhe stabilitetin rajonal," tha Ministri i Jashtëm Shah Mehmood Qureshi.

Ekziston një kryengritje e gjatë në Kashmirin e administruar nga India, i cili ndahet midis Indisë dhe Pakistanit.

Dy nga tre luftërat që India dhe Pakistani kanë luftuar, që nga pavarësia e tyre nga sundimi britanik, ishin për shkak të rajonit të Kashmirit.

Rajoni në periudhën e fundit është përfshirë nga dhuna, ku militantët islamik kanë sulmuar forcat e sigurisë të Indisë.

Kohë më parë edhe grupi ekstremist Shteti Islamik bëri të ditur se ka konsoliduar rradhët e veta në rajonin e Kashmirit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG