Ndërlidhjet

Rohani: Lufta me Iranin është "nëna e të gjitha luftërave"


Presidenti iranian, Hassan Rohani.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë më 6 gusht se Teherani mund të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara nëse këto të fundit i largojnë sanksionet ndaj Iranit.

Tensionet në mes të këtyre dy shteteve janë tensionuar pasi presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Kjo marrëveshje parasheh lirim të sanksioneve për Iranin në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Në disa deklarata televizive, Rohani ka thënë se “paqja me Iranin është nëna e të gjitha paqeve” dhe “lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftërave”, teksa ka mbrojtur marrëveshjen e nënshkruar më 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

“Republika Islamike favorizon biseda dhe negociata, dhe nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të bisedojnë, atëherë duhet të heqin sanksionet”, ka thënë Rohani.

Garda Revolucionare Islamike ka kapur një muaj më parë një tanke britanike në Ngushticën e Hormuzit, dy javë pas forcat britanike kanë konfiskuar një tanke iraniane afër Gjibraltarit, me arsyetimin se ka shkelur sanksionet për Sirinë.

“Ngushticë për ngushticë. Nuk mund të jetë Ngushtica e Hormuzit e lirë për ata, derisa Ngushtica e Gjibraltarit të mos jetë për ne”, ka thënë Rohani.

Besohet se një e pesta e naftës në botë transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik dhe Detin Arab.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka konfirmuar me 6 gusht raportimet e mediave amerikane, se ai ka refuzuar një ofertë të një senatori amerikan për të takuar presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.

Zarif ka thënë se ka refuzuar këtë ofertë, pavarësisht se i është thënë se do të sanksionohet brenda dy javëve.

Ndërkohë më 5 gusht, Irani ka njoftuar se ka rritur kapacitetet e ujit të rëndë, përtej normave të lejuara me marrëveshjen bërthamore.

XS
SM
MD
LG