Ndërlidhjet

Lajme

SHBA shton sanksionet ndaj Qeverisë së Venezuelës

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur sanksione të reja kundër Qeverisë së Venezuelës, duke i ngrirë asetet në Shtetet e Bashkuara dhe duke i penguar kryerjen e transaksioneve.

Në vendimin e Trumpit thuhet se “të gjitha pronat e Qeverisë së Venezuelës, që janë në Shtetet e Bashkuara bllokohen, nuk mund të transferohen, eksportohen, tërhiqen” apo diçka tjetër e ngjashme.

Kjo masë pritet të jetë më e dëmshme për Qeverinë Socialiste të Venezuelës, në krahasim me sanksionet paraprake.

Ky është një nga vendimet e fundit të SHBA-së ndaj Venezuelës, që synon të shtojë presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro për t'u larguar nga pushteti.

Shtetet e Bashkuara janë vetëm një prej 50 shteteve tjera që nuk e konsiderojnë Maduron president legjitim të Venezuelës.

SHBA-ja përkrah udhëheqësin e Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten president në muajin janar.

Guaido ka mirëpritur këtë masë, duke thënë se ajo ndëshkon “ata që kryejnë biznese me regjimin”.

Sipas tij ngrirja e aseteve mbron banorët e Venezuelës nga “ata që përfitojnë nga uria dhe dhembja” e popullsisë.

Presidenti i kontestuar Maduro ende nuk ka komentuar këtë masë.

​
XS
SM
MD
LG