Ndërlidhjet

Erdogan nuk beson se sistemi S-400 do të jetë peng i lidhjeve SHBA-Turqi


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të martën se beson që homologu i tij amerikan, Donald Trump nuk do të lejojë që marrëdhëniet në mes të dy aleatëve të NATO-s, të jenë peng i disa mospajtimeve rreth vendimit të Ankarasë për blerje të sistemeve ruse për mbrojtje S-400.

Uashingtoni nuk është pajtuar me vendimin e Ankarasë për të blerë këto sisteme ruse, pasi sipas Shteteve të Bashkuara ato përbëjnë rrezik për aeroplanët luftarakë amerikanë, F-35.

Muajin e kaluar, Turqia ka pranuar dërgesën e parë të sistemeve S-400 dhe ka thënë se dërgesa e dytë do të arrijë në Ankara vitin e ardhshëm. Ky hap ka detyruar Uashingtonin që edhe zyrtarisht ta largojë Ankaranë nga programi i aeroplanëve F-35, në të cilin Turqia ka qenë prodhuese dhe blerëse.

Uashingtoni ka paralajmëruar se Turqia do të përballet edhe me sanksione për shkak të këtij sistemi rus.

Duka folur para ambasadorëve turq në Ankara, Erdogan ka thënë se është gabim nëse ka dyshime për përkushtimin e Turqisë në NATO, pas blerjes së sistemeve ruse, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Ende nuk ka të dhëna që tregojnë se sistemi rus S-400 do të dëmtojë sistemin e aeroplanëve F-35 apo NATO-n. Shumë anëtare të NATO-s kanë blerë nga Rusia. Nuk e konsideroj këtë situatë si krizë”, ka thënë Erdogan.

“Unë besoj se Trump nuk do të lejojë që marrëdhëniet SHBA-Turqi të jenë peng i sistemeve S-400”, ka shtuar ai.

Përndryshe, marrëdhëniet në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit janë përkeqësuar edhe për strategjitë e ndryshme që kanë këto shtete në Siri.

XS
SM
MD
LG