Ndërlidhjet

Qeveria e Venezuelës reagon pas sanksioneve të reja të SHBA-së


Pamje gjatë protestave kundë qeverisë në Venezuelë.

Ministria e Jashtme e Venezuelës ka thënë të martën se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të ngrirë të gjitha asetet e këtij shteti në Shtetet e Bashkuara, është përpjekje për të “zyrtarizuar bllokadën ekonomike, financiare dhe komerciale, që veçse ka nisur”.

Në një deklaratë të nisur nga kjo ministri është thënë se autoritetet nuk do të lejojnë “ndonjë përshkallëzim të agresionit”, që mund të ndikojë në “procesin e dialogut politik”.

Qeveria e Venezuelës dhe opozita janë duke zhvilluar bisedime të ndërmjetësuara nga Qeveria e Norvergjisë, me qëllim të zgjidhjes së krizës politike që ka përfshirë shtetin e Amerikës Jugore.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur më herët gjatë ditës sanksione të reja kundër Qeverisë së Venezuelës, duke i ngrirë asetet në Shtetet e Bashkuara dhe duke i penguar kryerjen e transaksioneve.

Në vendimin e Trumpit thuhet se “të gjitha pronat e Qeverisë së Venezuelës, që janë në Shtetet e Bashkuara bllokohen, nuk mund të transferohen, eksportohen, tërhiqen” apo diçka tjetër e ngjashme.

Kjo masë pritet të jetë më e dëmshme për Qeverinë Socialiste të Venezuelës, në krahasim me sanksionet paraprake.

Ky është një nga vendimet e fundit të SHBA-së ndaj Venezuelës, që synon të shtojë presionin ndaj presidentit Nicolas Maduro për t'u larguar nga pushteti.

Shtetet e Bashkuara janë vetëm një prej 50 shteteve tjera që nuk e konsiderojnë Maduron president legjitim të Venezuelës.

SHBA-ja përkrah udhëheqësin e Asamblesë Kombëtare, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten president në muajin janar.

Guaido ka mirëpritur këtë masë, duke thënë se ajo ndëshkon “ata që kryejnë biznese me regjimin”.

XS
SM
MD
LG