Ndërlidhjet

Pavarësisht kritikave, presidenti Trump viziton El Pason


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të vizitojë vendet ku ndodhën të shtënat masive në Ohajo dhe Teksas, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të mos jetë i mirëpritur.

Sulmet në Dayton dhe El Paso, lanë të vdekur 31 persona.

Presidenti Trump, pas këtyre sulmeve kërkoi, që të gjithë të dënojnë racizmin dhe urrejtjen, por ai është akuzuar për nxitjen e të njëjtave ndjenja, që ai po kërkon të dënohen.

Kongresistja demokrate që përfaqëson El Paso-n, Veronica Escobar, tha se ajo nuk do ta takonte presidentin, duke i kërkuar që ai të kuptojë se fjalët e tij "kanë pasoja".

Pas incidentit që ndodhi gjatë fundjavës, presidenti Trump, kishte bërë thirrje për veprime të menjëhershme për të parandaluar dhunën me armë zjarri, duke thënë se amerikanët duhet të “dënojnë racizmin, urrejtjen dhe supremacinë”.

“Këto ideologji të gabuara duhet të mposhten", pati thënë Trump në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

"Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja shtrëngon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin", kishte deklaruar presidenti amerikan.

Të shtënat në El Paso po trajtohen si një krim i mundshëm i urrejtjes.

I dyshuari mendohet se është autori i një teksti të postuar në internet në të cilin thoshte "ky sulm është një përgjigje ndaj pushtimit hispanik të Teksasit".

XS
SM
MD
LG