Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi kërkon angazhim për ndaljen e dhunës në familje


Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë.

Reagimi i presidentit vjen pasi, të mëkurën, policia e Kosovës njoftoi se një grua është vrarë në Prizren, dhe i dyshuari për vrasje është bashkëshorti i saj.

Presidenti Thaçi ka shprehur keqardhje për rastin duke bërë thirrje që dhuna të ndalet.

“Shpreh keqardhje të thellë për rastin e fundit në Prizren, derisa familjes i shpreh ngushëllimet në këto momente shumë të vështira. Nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje, e aq më pak për të marrë një jetë njeriu. Le të jetë kjo thirrje jo vetëm për organet e drejtësisë, por për tërë shoqërinë që të ndalet dhuna”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ky është një akt i papranueshëm. Sipas Veselit, gratë në Kosove kanë qenë në vazhdimësi subjekt i diskriminimit, abuzimit e dhunës.

“Neglizhenca dhe indiferenca e institucioneve shtetërore të ligjit ndaj grave të kanosura apo thirrjeve të grave për ndihmë, nuk do të tolerohen më”, ka shkruar Veseli.

Edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është thellë i prekur nga ky rast.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gruaja është vrarë në orët e vona, të së martës në Prizren.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në orën 23:00 në rrugën “Hysni Morina” në Prizren.

Bazuar në njoftimin e Policisë, i dyshuari B.V për “vrasje të rëndë”, është bashkëshorti i saj.

“Njësitë e hetimeve në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm”, është thënë në njoftim.

Me vendim të prokurorit shtëpia e personit të dyshuar është bastisur dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole, ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj arme.

I dyshuari 61-vjeçar për kryerje të vrasjes është ndaluar për 48 orë.

XS
SM
MD
LG