Ndërlidhjet

Beograd: Lirohet para kohe i dënuari për masakrën e Podujevës


Ilustrim
Ilustrim

Miodrag Sholaja, një ish-anëtar i njësisë “Akrepat”, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

Ky është urdhri i dytë i Gjykatës së Apelit në Beograd, për lirimin me kusht të ish-oficerëve të njësisë “Akrepat”, brenda pak më shumë se një viti.

Gjykata e Apelit në Beograd, në vendimin e datës 31 korrik, urdhëron lirimin e tij, tre vjet para përfundimit të dënimit, pasi kishte kryer 12 nga 15 vjetët, sa ishte i dënuar me burgim.

Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e Podujevës, në mars të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç, dhe shtatë gra.

Gjykata e Apelit mbështeti vendimin e shkallës së parë - Gjykatës së Lartë të Beogradit - e cila miratoi kërkesën për lirimin me kusht të Sholajës. Ankesa e Prokurorisë për Krime Lufte, kundër lirimit me kusht, u hodh poshtë si e pabazuar nga ana e Gjykatës së Apelit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se “qëllimi i dënimit nga pikëpamja e parandalimit është arritur, dhe se mund të pritet që Sholaja, nuk do të kryejë një vepër të re penale, deri në skadimin e dënimit të tij".

Në muajin mars të vitit 2018, Gjykata e Lartë e Beogradit pati liruar para kohe nga burgu, Sasha Cvjetanin, një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1999 në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi, në emër të dy familjeve Duriqi dhe Bogujevci pati reaguar e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.

"Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t'i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës", pati thënë Bogujevci.

Video nga arkivi:

Fondi për të Drejtën Humanitare kishte kritikuar lirimin e hershëm të Sasha Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk ka shprehur kurrë keqardhje dhe pretendonte se procesi ishte “politik”.

Gjashtë anëtarë të njësisë “Akrepat” ishin dënuar nga Gjykata në Beograd me 15 deri në 20 vjet burg për vrasjen e 19 civilëve shqiptarë, përfshirë 14 nga familjet Bogujevci dhe Duriqi.

Ata krimin e kryen në Podujevë, si pjesëtarë të njësisë që ka vepruar në kuadër të Njësinë Speciale Anti-Terrorizëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

"Akrepat" fillimisht u krijuan si një formim paramilitar në territoret e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

XS
SM
MD
LG