Ndërlidhjet

Punëtorët e Aeroportit të Prishtinës protestojnë për një orë


Pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, kanë protestuar të enjten për një orë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës. Protesta nuk ka ndikuar në orarin e fluturimeve, mirëpo Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka kërkuar të gjendet zgjidhje rreth kërkesave të punëtorëve.

“Protesta e sotme e punëtorëve të aeroportit nuk ka pasur ndikim në operimet normale te aeroportit. Autoriteti i Aviacionit Civil i bënë thirrje Sindikatës së Punëtorëve dhe organit menaxhues të ANP "Adem Jashari", kompanisë LKIA sh.a., të zhvillojnë dialog social dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy palët brenda kornizës ligjore, në mënyrë që të parandalojnë pengimin e operimeve të aeroportit”, është thënë në komunikatën për media të këtij Autoriteti.

Ndërkohë, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, i ka konsideruar joligjore kërkesat e punëtorëve.

“Të gjithë punonjësit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë subjekt i kontratës punonjës- punëdhënës, kërkesat e tyre konsiderohen të pabazuara dhe joligjore, duke u bazuar në këtë kontratë. Disa nga kërkesat e tyre janë të bazuara në kontratën kolektive. Me përgjegjësi të plotë themi se Aeroporti është duke i përmbushur 100 për qind obligimet ndaj punëtorëve. Sa i përket kontratës kolektive ajo nuk është valide dhe ne nuk jemi subjekt i asaj kontrate, prandaj kërkesat e tyre konsiderohen jo ligjore pasi që bazohen në kontratën kolektive”, ka thënë Gara.

Kontrata Kolektive në Kosovë është një marrëveshje e arritur në bazë të Ligjit të Punës, dhe si e tillë ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Kontrata Kolektive parasheh shujtën, shpenzimet e udhëtimit dhe pagën jubilare çdo 10 vjet për punëtorët.

XS
SM
MD
LG