Ndërlidhjet

Pakistani nuk do konflikt me Indinë, pavarësisht vendimit për Kashmirin


Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi.

Pakistani ka hedhur poshtë mundësinë e përgjigjes ushtarake ndaj vendimit të Indisë për t’i hequr statusin special rajonit të Kashmirit, pavarësisht tensioneve në mes të të dyja shteteve.

“Ne jemi duke shqyrtuar mundësitë politike, diplomatike dhe ato ligjore. Nuk jemi duke u fokusuar tani në përgjigje ushtarake”, ka thënë ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi, në një konferencë për media në Islamabad.

Pjesa e Kashmirit e banuar me shumicë myslimane, që administrohet nga India, vazhdon të jetë e ruajtur nga forca të shtuara ushtarake, pasi Nju Delhi ka anuluar statusin special, që ka pasur ky vend.

Linjat telefonike dhe shërbimet e internetit, po ashtu vazhdojnë të mbeten të bllokuara në Kashmir, me qëllim të parandalimit të trazirave.

Për Kashmirin kanë pretendime si India ashtu edhe Pakistani, derisa rebelët e pozicionuar nën administratën indiane kanë kryer kryengritje për dekada.

Kashmiri është ndarë në mes të Indisë dhe Pakistanit prej përfundimit të rendit britanik më 1947.

Njoftimet e Qureshit kanë ardhur teksa Islamabadi ka bërë të ditur lajmin për pezullimin e një shërbimi kyç të trenave me Indinë, për shkak të rastit të Kashmirit.

Ministri federal për Hekurudha, Rashid Ahmad, ka thënë se shërbimi i trenave i ashtuquajtur, Miqësia e Shpejtë, do të pezullohet nga 8 gushti.

Ky njoftim është bërë teksa udhëtarët kanë qenë duke pritur trenin në qytetin lindor të Pakistanit, Lahore, për të udhëtuar në Indi.

XS
SM
MD
LG