Ndërlidhjet

Ambasadori britanik tregon sërish cila ka qenë porosia e vendeve të Kuintit


Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairí O'Connell.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell, ka reaguar pas interepretimeve të ndryshme të deklaratës së vendeve të Kuintit, (Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) një ditë më parë, për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Connell, ka thënë se çështja e mbajtjes së zgjedhjeve ose jo, i përket vetëm Kosovës.

“Unë po lexoj ‘komentatorët’ që pretendojnë se deklarata e Kuintit ka qenë thirrje për formim të Qeverisë së re pa zgjedhje. Pse gazetat publikojnë gjëra të pakuptimta, pa na pyetur se çfarë mendojmë? Prandaj qytetarët e Kosovës shpesh ndihen të keqinformuar”, ka thënë ai.

Ambasadori britanik ka vlerësuar se rikthimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse është në interes të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Prandaj sipas tij miqtë e Kosovës “kërkojnë që ky shtet të jetë gati të bisedojë seriozisht, sa më shpejt që është e mundur”.

Një ditë më parë, përmes një komunikate, vendet e Kuintit kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, që siç thuhet, “është e nevojshme për të dyja vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitime përcjellëse”.

Ata kanë theksuar se një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm kur palët të japin shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj, është thënë se sa i përket dialogut, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar atë, dhe "janë shprehur të gatshëm të ulen në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke".

Në anën tjetër, drejtori i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq gjatë një konference për media, ka thënë se për Serbinë ekzistojnë disa çështje kontestuese në deklaratën e Kuint-it dhe se Serbia është e hapur për dialog kur të hiqen taksat.​

XS
SM
MD
LG