Ndërlidhjet

Kina ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të "diskredituar protestat në Hong Kong"


Ilustrim.
Ilustrim.

Rrjetet sociale të popullarizuara, Twitter dhe Facebook, kanë fshirë disa llogari të mbështetura nga Kina, të cilat kanë synuar të “nxisin mosmarrëveshje politike” në Hong Kong.

Duke përshkruar veprimet e Kinës si fushatë dezinformuese të përkrahur nga shteti, zyrtarë të Twitterit kanë thënë se kanë fshirë 963 llogari nga rreth 200,000 llogari që janë pezulluar para se të tentojnë të bëjnë fushatë.

Twitter ka thënë se fushata ka qenë e koordinuar me qëllim të minimit të “legjitimitetit dhe pozitave politike në protestat” që po mbahen në Hong Kong.

Facebook në anën tjetër ka fshirë “shtatë faqe, tri grupe dhe pesë llogari individuale”.

Facebook ka thënë se hetimet kanë gjetur lidhje mes individëve të lidhur me Qeverinë kineze.

“Ata kanë postuar vazhdimisht lajme për politikë lokale dhe tema që kanë qenë të lidhura me protestat në Hong Kong”, ka thënë udhëheqësi i politikave për siguri kibernetike në Facebook, Nathaniel Gleicher.

Ai ka thënë se “pavarësisht pse njerëzit që kanë qenë mbrapa këtij aktiviteti kanë tentuar të fshehin identitetin, hetimet tona kanë gjetur lidhje me individë të lidhur me Qeverinë kineze”.

Protestat në Hong Kong kanë përfshirë rrugët e këtij vendi nga fillimi i muajit qershor, kur kanë nisur pakënaqësitë rreth një projektligji që do të mundësonte ekstradimin e qytetarëve të Hong Kongut në Kinë.

Shefja ekzekutive e qytetit, Carrie Lam, ka pezulluar atë, mirëpo ka refuzuar që ta tërheqë dokumentin plotësisht.

Ndërkohë janë rritur kërkesat e protestuesve duke përfshirë kërkesën për reformë zgjedhore, të cilën Kina e refuzon, si dhe shfrytëzimin e të drejtave dhe lirive ashtu siç i është premtuar këtij vendi nën organizimin “një shtet, dy sisteme”.

Qeveria kineze ka dënuar ashpër këto protesta, duke e cilësuar këtë qasje “të ngjashme me terrorizëm”.

XS
SM
MD
LG