Ndërlidhjet

Grupet që përkrahin abortin sfidojnë ligjin e ri në Misuri


Pamje nga protestat që janë mbajtur më herët në SHBA, kundër ndalimit të abortit.

Kundërshtarët e ligjit të ri në Misuri, që ndalon shumicën e aborteve pas javës së tetë të shtatzënisë do t’i kërkojnë gjyqtarit federal të hënën që ky rregull të mos fillojë së zbatuari këtë javë.

Grupet që përkrahin abortin kanë nisur padi federale në muajin korrik dhe duan që gjyqtari të mos marrë vendim derisa kërkesa e tyre ligjore të trajtohet nga autoritetet, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ligji i ri, i nënshkruar nga guvernatori republikan, Mike Parson, që pritet të nisë së zbatuari të mërkurën, lejon abortin pas javës së tetë të shtatzënisë vetëm në rast të urgjencave mjekësore dhe nuk përjashton rastet e dhunimit apo incestit.

Ky është konsideruar një prej ligjeve më të ashpra në Shtetet e Bashkuara pasi shumë aktivistë kanë thënë se ai ndalon pothuajse të gjitha abortet, meqë shumica e grave nuk e dinë se janë shtatzëna në javën e tetë.

Në padinë 31-faqëshe, legjislacioni konsiderohet jokushtetues.

Teksa në SHBA duket se po zhvillohet një betejë politike dhe morale, ligje të ngjashme janë propozuar në dhjetëra shtete tjera në SHBA, që drejtohen nga republikanët.

Aktualisht Misuri lejon abortet deri në javën e 22-të të shtatzënisë.

XS
SM
MD
LG