Ndërlidhjet

Ministri i Jashtëm iranian merr pjesë papritur në Samitin e G7-ës


Presidenti francez, Emmanuel Macron me ekipin e tij, në takim me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka realizuar një vizitë të papritur në samitin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7) që është mbajtur në Francë.

Zarif ka marrë pjesë në samitin ku po marrin pjesë liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump.

Në raportime është supozuar se delegacioni amerikan është befasuar nga vizita e tij, e cila vjen në kohën e rritjes së tensioneve të Shteteve të Bashkuara me Iranin.

Zarif ka thënë në rrjetin social, Twitter se ai ka zhvilluar bisedime “konstruktive” me presidentin francez, Emmnual Macron.

“Rruga në të ardhmen është e vështirë. Mirëpo ia vlen që ta provojmë”, ka thënë ai të dielën duke njoftuar se është takuar edhe me zyrtarët gjermanë dhe ata britanikë.

Tensionet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar prej kur Uashingtoni është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Megjithatë, pesë shtetet tjera, duke përfshirë Francën, vazhdojnë të jenë të përkushtuara për zbatim të marrëveshjes, ndonëse Irani ka nisur aktivitete bërthamore, në përgjigjje të sanksioneve ekonomike të SHBA-së kundër këtij shteti.

XS
SM
MD
LG