Ndërlidhjet

Trump thotë se është "shumë herët" për ta takuar ministrin iranian


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është “shumë herët” për ta takuar ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i cili ka bërë një vizitë të papritur gjatë fundjavës në Samitin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7), dhe ka përsëritur se Uashingtoni nuk po kërkon ndryshim të regjimit në Teheran.

“Unë jam në kërkim të një Irani të mirë, të fuqishëm, dhe nuk po kërkojmë ndryshim të regjimit. E keni parë si ka funksionuar në 20 vjetët e fundit, nuk ka qenë aq mirë”, ka thënë Trump të hënën, teksa liderët e Japonisë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë dhe Kanadasë, janë mbledhur në juperëndim të Francës.

“Irani ka mundësi për të ndërtuar veten dhe të kthehet në komb fantastik. Ata duhet t’i japin fund terrorizmit”, ka thënë presidenti Trump.

Samiti treditor në Biarritz është përballur me një ndryshim drastik të vëmendjes kur Zarif ka bërë një vizitë të papritur bashkë me ekipin e tij.

Trump u ka thënë gazetarëve se e ka pasur njohuri për vizitën e ministrit iranian mirëpo nuk ka dashur ta takojë.

“Mendoj se është shumë herët për t’u takuar”, ka thënë ai.

Tensionet në mes të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar prej kur Uashingtoni është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Megjithatë, pesë shtetet tjera, duke përfshirë Francën, vazhdojnë të jenë të përkushtuara për zbatim të marrëveshjes, ndonëse Irani ka nisur aktivitete bërthamore, në përgjigjje të sanksioneve ekonomike të SHBA-së kundër këtij shteti.

XS
SM
MD
LG