Ndërlidhjet

Qeveria e Brazilit e refuzon ndihmën për Amazonën


Zjarret në Amazonë

Qeveria e Brazilit tha se do të refuzojë ofertën për ndihmë nga G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, për fikjen e zjarreve në pyjet e Amazonës.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ishte nikoqir i samitit të G7-ës, që përfundoi të hënën, tha se është rënë dakord për 22 milionë dollarë ndihmë.

Zyrtarët brazilianë nuk dhanë arsye për refuzimin e parave, por presidenti Jair Bolsonaro e akuzoi Francën për trajtimin e Brazilit si koloni.

Ministri i tij i Brendshëm, Fernando Azevedo e Silva, tha se zjarret në Amazonë nuk janë jashtë kontrollit.

Një numër rekord i zjarreve e ka përfshirë rajonin e Amerikës Jugore, shumica e tyre në Brazil, duke nxitur shqetësim ndërkombëtar, për shkak të rëndësisë së Amazonës për mjedisin global.

Kritikët e kanë akuzuar Bolsonaron për përkeqësimin e shpyllëzimit në Amazonë përmes retorikës antimjedisore.

Shefi i stafit të Bolsonaros, Onyx Lorenzoni, tha se fondet e ofruara nga vendet e G7-ës "mund të jenë më të rëndësishme për pyjet në Evropë".

"Macron nuk mund të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë së botës dhe ai dëshiron të na japë mësime për vendin tonë", tha Lorenzoni për portalin e lajmeve Globo, duke iu referuar zjarrit që përfshiu katedralen Notre-Dame në Paris në muajin prill.

Më shumë në këtë temë: G7-a ofron 22 milionë dollarë për rajonin e Amazonës

XS
SM
MD
LG