Ndërlidhjet

QKSS: Komuniteti serb ka nivel të ulët besimi ndaj Policisë së Kosovës


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Qëndrimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës formësohet kryesisht nga politika e përditshme, dhe zhvillimet e përgjithshme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Komuniteti serb i Kosovës ka nivel të ulët besimi kundrejt Policisë së Kosovës. Mungesa e besimit është më e theksuar në Mitrovicën e Veriut kur krahasohet me rajonet e tjera në Kosovë”, thuhet në raport.

Për më tepër, raporti potencon se komuniteti serb i Kosovës e konsideron Policinë e Kosovës si institucionin më të korruptuar në Kosovë.

“Qytetarët serb në Kosovë shprehin nivele më të larta të mosbesimit kundrejt policisë, dhe si arsye për këtë mosbesim jepen lidhjet ndërmjet strukturave politike, elementëve të krimit të organizuar dhe elementeve të policisë”, theksohet në raport.

Në këtë dokument të QKSS-së, i cili u bë publik të enjten, bëhet e ditur se “qytetarë serb në Veri të vendit shprehin nivel më të lartë frikës, çka çon në ngurrimin për të folur për krime të rënda, strukturat e pushtetit në veri dhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq”.

Integrimi i komuniteteve etnike, në veçanti i komunitetit serb në Policinë e Kosovës, ka qenë një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Procesi i integrimit filloi menjëherë pas luftës në Kosovë dhe gjatë viteve është përballur me shumë sfida, kryesisht për shkak të rezistencës së komunitetit serb të Kosovës për të njohur autoritetin e Policisë së Kosovës.

Raporti i QKSS-së, i rekomandon Qeverisë së Kosovës që të punojë për uljen e ndërhyrjes politike, në marrëdhëniet e komunitetit serb të Kosovës me Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës duhet të ndërmarrë fushata për të promovuar punën e vet dhe përfshirjen e komunitetit serb të Kosovës. Fushatat e tilla duhet ta bëjnë të qartë se Policia e Kosovës është një forcë e unifikuar, dhe se prania e cilësdo prej njësive të veta në komunat me shumicë serbe ka për qëllim të forcojë sigurinë e qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e raportit.

XS
SM
MD
LG