Ndërlidhjet

I dërguari amerikan ia tregon presidentit afgan draftin e marrëveshjes me talibanët


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, paraqiti para udhëheqësve afganë një draft të marrëveshjes midis SHBA-së dhe talibanëve për t'i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Zyrtarët afganë thanë se Khalilzad takoi presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe ia tregoi atij kopjen e draft-marrëveshjes, të arritur pas rrethit të fundit të bisedimeve.

Qeveria afgane, e mbështetur nga SHBA-ja, do të duhet "t'i studiojë dhe vlerësojë" detajet e draft-marrëveshjes, tha zëdhënësi qeveritar, Sediq Sediqqi.

Detaje të saj nuk u bënë publike.

Më herët, Seddiqi i tha AP-së se Khalilzad ka biseduar me Ghanin të dielën vonë, pasi ka arritur nga Katari, ku ka përfunduar rrethi i nëntë i bisedimeve.

Derisa Khalilzad ishte ende në Katar, së paku gjashtë njerëz u vranë në një sulm të talibanëve në qytetin afgan, Puli Khumri.

Grupi militant i ka shtuar sulmet në muajt e fundit për të forcuar pozicionin në negociatat me SHBA-në.

"Jemi në prag të përfundimit të pushtimit dhe arritjes së një zgjidhjeje paqësore për Afganistanin", tha në Twitter zëdhënësi i talibanëve në Katar, Suhail Shaheen.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 30 gusht se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë negociata të mira me talibanët, porse ende nuk kanë arritur marrëveshje.

Talibanët, prej kohësh, kërkojnë tërheqje të plotë të të gjitha forcave të huaja nga Afganistani.

Aktualisht atje ndodhen rreth 20,000 forca të huaja, shumica amerikane.

Ato janë pjesë e një misioni të NATO-s që udhëhiqet nga SHBA-ja dhe kryesisht i trajnojnë, ndihmojnë dhe këshillojnë forcat afgane, ndërsa disa prejt tyre kryejnë edhe operacione kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG