Ndërlidhjet

Trump ka kërkuar rritje të sanksioneve ndaj Iranit


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë të mërkurën se ai ka urdhëruar Sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin për të “rritur sanksionet” e vendosura ndaj Iranit, në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit.

Ai nuk ka ofruar detaje për marrjen e këtij vendimi, që vjen pas sulmeve të fundjavës në disa rafineri të naftës në Arabinë Saudite.

Disa zyrtarë amerikanë kanë fajësuar Iranin për kryerje të sulmeve, mirëpo ky i fundit ka mohuar këto akuza.

Rebelët huthi në Jemen, që janë të lidhur me Iranin kanë marrë përgjegjësi për sulmet në rafineritë saudite, vend në të cilin gjenden centralet më të mëdha në botë për përpunim të naftës.

Ndonëse këto sulme kanë ndikuar në rritje të çmimit të naftës, Arabia Saudite ka thënë se furnizimi me këtë lëndë do t’i kthehet normalitetit në fund të këtij muaji.

Riadi ka thënë se do të ofrojë të dhëna për lidhjet e Iranit me këtë sulm.

Uashingtoni dhe Teherani veçse kanë tensionuar marrëdhëniet prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Pas largimit nga kjo marrëveshje, SHBA-ja ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit, duke i dëmtuar sektorin bankar dhe atë të naftës.

XS
SM
MD
LG