Ndërlidhjet

Ish-ministri Tahiri shpallet fajtor për shpërdorim të detyrës


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri e shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për shpërdorim detyre, por nuk e gjeti fajtor për akuzat e trafikut të drogës.

Si pasojë, gjykata e dënoi ish-ministrin Tahiri me 5 vite burgim, por duke qenë se ai më parë kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove.

Kjo do të thotë se Tahiri nuk do të burgoset.

Atij, gjatë kësaj periudhe, nuk i lejohet të ushtrojë funksione publike.

Prokurorët kërkuan që Tahiri, dikur një nga aleatët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të dënohet me burgim prej 12 vitesh me akuzën e korrupsionit dhe trafikut të drogës, si pjesë e një grupi kriminal.

"Gjykata tha që nuk jam kriminel apo trafikant droge dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por më shpalli fajtor për shpërdorim detyre sepse kam përdorur të njëjtën makinë me disa kushërinj", u tha Tahiri gazetarëve pas vendimit të gjykatës.

Tahiri, i cili ishte ministër i Brendshëm në vitet 2013-2017, u mbajt për pak kohë në arrest shtëpiak, pasi dha dorëheqjen si ligjvënës në maj të vitit 2018.

Shqipëria është përpjekur të luftojë korrupsionin e një shkalle të gjerë dhe trafikun e drogave me synimin për t'u anëtarësuar përfundimisht në Bashkimin Evropian.

Shqipëria, së bashku me Maqedoninë e Veriut, shpresojnë të fillojnë bisedimet e pranimit në BE para fundit të vitit 2019, por disa vende, përfshirë Francën, kanë shprehur shqetësime për aftësinë e të dyja vendeve për të përmbushur standardet qeveritarisjes dhe sundimit të ligjit të BE-së.

XS
SM
MD
LG