Ndërlidhjet

Nis fushata për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit


Ilustrim

Në Kosovë ka nisur edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor. Fushata zgjat dhjetë ditë.

Subjektet politike, të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë nisur fushatën zyrtarisht, ndonëse ka rreth një muaj që ato zhvillojnë aktivitete të rregullta zgjedhore.

Gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore, 25 subjekte politike të certifikuara, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur, pritet t’i shpalosin programet e tyre në garë për të fituar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, për mandatin kushtetues katërvjeçar.

Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, janë gjithsej 1068 kandidatë.

Në listën përfundimtare, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868, ndërsa KQZ-ja ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, pra 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se votues.

Bashkimi Evropian ka dërguar tanimë misionin vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Zgjedhjet e 6 tetorit do të monitorohen nga rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian. Procesi zgjedhor po ashtu do të monitorohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

XS
SM
MD
LG