Ndërlidhjet

Publikohen detajet e bisedës mes Trumpit dhe Zelenskiyt


Ilustrim.
Ilustrim.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka kërkuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në një bisedë telefonike në muajin korrik, që të hetojë nëse ish nën-presidenti amerikan, Joe Biden ka mbyllur hetimet për një kompani që ka punësuar djalin e tij, është thënë në një përmbledhje të bisedës, të publikuar nga administrata e presidentit Trump të mërkurën.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka njoftuar të martën se institucioni që ajo drejton do të nisë procedurat për shkarkim të Trumpit dhe ka urdhëruar gjashtë komitete që të nisin hetime për veprimet e presidentit.

Demokratët kanë akuzuar Trumpin, që synon të fitojë sërish pozitën e presidentit vitin e ardhshëm se ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të njollosur Bidenin, i cili është një prej demokratëve që garon për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Ka shumë gjëra për të folur për djalin e Bidenit, se Biden ka ndalur hetimet dhe shumë njerëz duan të dinë për këtë gjë, andaj çfarëdo që mund të bësh me Prokurorin e Përgjithshëm do të ishte fantastike”, ka thënë Trump gjatë bisedës, sipas përmbledhjes së publikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

“Biden ka thënë me mburrje se ka ndalur gjykimin andaj nëse mund të kërkoni rreth kësaj çështjeje… Mua më duket e tmerrshme”, është cituar të ketë thënë Trump.

Kjo bisedë është realizuar pasi Trump ka urdhëruar qeverinë amerikane që të pezullojë ndihmë në vlerë të 391 milionë dollarëve për Ukrainën.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve mund të rezultojnë me gjykim në Senat rreth asaj nëse Trump duhet të largohet nga zyra e presidentit.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Deri më tash, asnjë president nuk është shkarkuar përmes këtij procesi.

Aktualisht demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve derisa republikanët e partisë prej nga është edhe Trump kontrollojnë Senatin.

Si ndodh procesi i shkarkimit të një presidenti amerikan?

Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës, prej vendimit të Rusisë për të ankesuar Krimenë më 2014.

Trump ka pranuar të dielën se ka diskutuar me presidentin ukrainas për Bidenin dhe djalin e tij, i cili ka punuar për një kompani për gaz në Ukrainë.

Mirëpo ai ka mohuar të hënën se ka tentuar ta detyrojë Zelenskyin për të nisur hetime rreth korrupsionit për Bidenin dhe djalin e tij, në këmbim të ndihmës ushtarake.

XS
SM
MD
LG