Ndërlidhjet

Thaçi diskuton me Stoltenbergun për FSK-në dhe NATO-n


Presidenti i Kosovës, Jens Stoltenberg.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar të mërkurën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në kuadër të margjinave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Thaçi ka thënë të ketë biseduar me kreun e alencës veri-atlantike për bashkëpunimin që ka Kosova me NATO-n dhe KFOR-in.

"Rezultat i bashkëpunimit me NATO-n është edhe FSK-ja si një forcë profesionale, multi-etnike, e gatshme të kontribuojë në misione humanitare nëpër botë. Vazhdojmë të punojmë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s", ka thënë ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Muaj më parë, Stoltenberg pati thënë sepas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, NATO-ja është duke rishikuar shkallën e bashkëpunimit me këtë Forcë.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

FSK-ja aktualisht ka 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pritet të dyfishohet pas ndërrimit të mandatit.

XS
SM
MD
LG