Ndërlidhjet

SHBA nënshkruan marrëveshje për dëbim të migrantëve në Honduras


Disa migrantë afër kufirit të SHBA-së.

Hondurasi ka nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të pranuar migrantët që aplikojnë për azil në SHBA.

Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara mund të dëbojnë në Honduras, azilkërkuesit që kanë kaluar përmes këtij shteti për të arritur në kufirin jugor të SHBA-së.

Kritikët kanë thënë se Hondurasi, që njihet për shkallë të lartë të vrasjeve, nuk është vend i duhur për ata që ikin nga dhuna dhe varfëria.

Deri më tani, edhe Guatemala dhe El Salvadori kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme.

Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të nënshkruajnë marrëveshje “me vendet e treta”, përmes së cilave mund të dërgojnë atje azilkërkuesit që kalojnë nëpër këto vende, në rrugën e tyre drejt SHBA-së.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë prioritet zvogëlimin e numrit të migrantëve që kalojnë kufirin në mes të SHBA-së dhe Meksikës.

Më herët gjatë këtij muaji, Gjykata Supreme në SHBA ka lejuar qeverinë që të ndalojë hyrjen e njerëzve në tokën amerikane nëse ata kanë dështuar të sigurojnë azil në ndonjë prej shteteve që kanë kaluar teksa janë nisur në SHBA.

Administrata Trump ka prezantuar politikën e re për azil në muajin korrik, mirëpo është bllokuar pothuajse menjëherë me një vendim të gjykatës në San Francisko.

Deri në fund të muajit gusht, rreth 811,016 persona janë ndaluar në kufirin jug-perëndimor të SHBA-së, derisa gati 590,000 kanë qenë nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi.

Shumica prej tyre është thënë të kenë arritur në kufi me të paktën një anëtar të familjes.

XS
SM
MD
LG