Ndërlidhjet

Kush janë kandidatët për president të Afganistanit?


Ilustrim
Ilustrim

Pesëmbëdhjetë burra do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Afganistan më 28 shtator. Gara sillet kryesisht midis pushtetarëve të vjetër: ish-zyrtarë qeveritarë, teknokratë dhe një ish-komandant.

Kandidatët përfshijnë disa figura kontroverse nga katër dekadat e fundit të konfliktit. Në mesin e tyre: ish-kuadro të regjimit komunist të viteve 1980, muxhahedinë nga lufta civile e fillimviteve 1990 dhe anëtarë të regjimit taliban, që kanë sunduar Afganistanin nga viti 1996 deri më 2001.

Secili kandidat garon duke i varur shpresat edhe te kandidatët për nënpresident.

Në një vend ku asnjë grup etnik nuk mund të mbizotërojë skenën politike më vete, kandidatët për president i tejkalojnë vijat etnike në përzgjedhjen e zëvendësave të tyre.

Ashraf Ghani

Presidenti Ashraf Ghani vjen nga grupi më i madh etnik i Afganistanit – pashtun. Ai ka zgjedhur Amruallah Salehun, ish-shef i inteligjencës, si kandidat për nënpresident.

Saleh është taxhik, grupi i dytë më i madh etnik, me mbështetje të madhe në mesin e të rinjve.

Në zgjedhjet e vitit 2014, Ghani ka futur në garën për nënpresident Abdul Rashid Dostumin, ish-lider i një milicie uzbeke, i cili është akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Por, prej atëherë, ata janë përçarë dhe Dostum ka ikur nga Afganistani, për shkak të një rasti kriminal kundër tij.

Kandidati tjetër i Ghanit për nënpresident është Sarvar Danish, nga komuniteti Hazara, grupi i tretë më i madh etnik në Afganistan.

Danish është aktualisht nënpresident.

Abdullah Abdullah

Kryeshefi ekzekutiv, Abdullah Abdullah, ka zgjedhur për kandidatë për nënpresident Enayatullah Babur Farahmandin, nga komuniteti uzbek, dhe Asadullah Sadatin, nga komuniteti hazara.

Abdullah po ashtu ka mbështetje nga Anvar ul-Haq Ahadi, ish-ministër i Financave nga komuniteti pashtun.

Ahadi e ka mbështetur Ghanin në zgjedhjet e vitit 2014, por që atëherë ka formuar partinë e tij.

Rahmatullah Nabil

Rahmatullah Nabil ka qenë dy mandate udhëheqës i Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë, që është agjencia kryesore e inteligjencës në Afganistan. Ai është pashtun dhe vjen nga provinca Maidan Vardak.

Nabil, 51 vjeç, është kundërshtar i zëshëm i talibanëve dhe mbështetësit kryesor të tyre – Pakistanit.

Ai ka kritikuar vazhdimisht edhe administratën e Ghanit, duke e fajësuar për rritje të pasigurisë dhe korrupsion endemik.

Kandidatët e tij për nënpresident janë: Murad Ali Murad, nga komuniteti hazara, dhe Massuda Jalal, taxhike, e cila ka shëbyer si ministre për çështje të grave.

Gulbuddin Hekmatyar

Ish-udhëheqësi famëkeq i luftës, Gulbuddin Hekmatyar, 70 vjeç, drejton grupin militant Hezb-e Islami, i cili ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse paqeje me qeverinë, më 2016.

Që atëherë, ai udhëheq partinë politike Hezb-e Islami.

Hekmatyar, i cili jeton në një rezidencë të financuar nga qeveria në Kabul, është përçmuar shumë për rolin e tij në luftën civile brutale.

Kandidatë të tij për nënpresident janë Fazl ul-Hadi Vazin dhe Hafiz ul-Rahman Naqi, të dy taxhikë nga partia Hezb-e Islami.

Ahmad Wali Massud

Ahmad Wali Massud është vëllai i vogël i Ahmad Shah Masudit, komandantit legjendar të rezistencës anti-sovjetike dhe anti-talibane, i cili është vrarë nga Al-Kaida dy ditë para 11 shtatorit.

Massud, 54 vjeç, nga komuniteti taxhik, ka shërbyer si ambasador në Britani.

Ai ka zgjedhur si kandidatë për nënpresident Farida Mohmandin, pashtune, që ka shërbyer si ministre e Arsimit, dhe Latif Naarin, nga komuniteti hazara, i cili është shkolluar në Iran.

Kandidatët e tjerë për president janë: ish-ministri i Brendshëm, Nur ul-Haq Ulumi, ish-ligjvënësi Abdul Latif Pedram, ish-zyrtari në Ministrinë e Jashtme të regjimit taliban, Nurullah Jalili, ligjëruesi universitar, Faramarz Tamana, zyrtari i inteligjencës në epokën sovjetike, Hakim Tursan, plaku fisnor, Mohammad Ibrahim Alekozai, mjeku Ghulam Faruq Nejrabi, bisnesmeni Nur Rahman Liwal, profesori i letërsisë, Enayatullah Hafiz, dhe ligjëruesi universitar, Mohammad Shahab Hakimi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG